Publikohet studimi mbi demografinë dhe shëndetin në Shqipëri me mbështetje nga Zvicra

Article, 17.12.2018

Studimi siguron të dhëna të vlefshme mbi çështjet e popullsisë dhe shëndetit dhe krijon bazën për politika mbi shëndetësinë

Swiss Ambassador in Albania Adrian Maître speaking at the launching of the demographic and health survey. ©
Ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maître duke folur gjatë lançimit të studimit demografik dhe shëndetësor. © Gëzim Banaj

Një edicion i ri i Studimit Demografik dhe Shëndetësor u publikua të mërkurën e kaluar dhe u lançua përmes një aktiviteti tek Tirana International Hotel. I kryer përmes një pune të përbashkët midis disa institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë, studimi është një instrument kyç për vlerësimin e programeve dhe politikave aktuale dhe për projektimin e atyre të reja.

“Studimi Demografik dhe Shëndetësor 2017-2018 konfirmon trendin pozitiv të rritjes së aksesit në shërbime shëndetësore në vendndodhjen e qytetarëve”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

“Studimi Demografik dhe Shëndetësor për Shqipërinë është një burim i rëndësishëm të dhënash mbi shëndetin familjar, popullsinë, lindshmërinë, planifikimin familjar, ushqimin, vdekshmërinë faktorët e rrezikut, etj.”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître. “Informacioni mbi shëndetin duhet të jetë në formate që plotësojnë nevojat e përdoruesve të shumëfishtë – politikë-bërësit, planifikuesit, menaxherët, dhënësit e kujdesit shëndetësor, komuniteti, individët”, shtoi Ambasadori Maître.

Drejtoresha e INSTAT-it Delina Ibrahimaj prezantoi disa nga elementet kyç si dhe gjetjet nga studimi, përfshirë të dhëna mbi demografinë, lindshmërinë, planifikimin familjar, shëndetin e nënave dhe foshnjeve, HIV dhe ushqyerjen. 

“Studimi Demografik dhe Shëndetësor 2017-2018 është një instrument kyç për të krijuar një bazë të dhënash për të monitoruar progresin e bërë në arritjen e objektivave kombëtare, përfshirë Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (Axhenda 2030) dhe integrimin në Bashkimin Europian”, nënvizoi Z. Brian Williams, Kordinator i Përhershëm i OKB në Shqipëri.

Studimi i fundit i këtij lloji është kryer para 10 vitesh. Ky version i ri përfshin një orientim drejt sëmundjeve jo-ngjitëse.

Mbështetja zvicerane u dha përmes projektit të SDC-së ‘Shëndet për të Gjithë’ dhe përfshiu një kontribut prej 800,000 franga zvicerane krahas kontributeve nga Kombet e Bashkuara dhe Qeveria e Shqipërisë. ‘Shëndet për të Gjithë’ është një nga projektet më të rëndësishme në mbështetje të kujdesit parësor shëndetësor në Shqipëri.