Dita e të Drejtave të Njeriut 2017: në përgatitje të 70 vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut

10.12.2017

Në 10 Dhjetor 2018 – pikërisht një vit nga sot – Zvicra dhe komuniteti ndërkombëtar do të përkujtojnë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut e cila mbetet shumë aktuale edhe 70 vjet pas adoptimit. Zvicra i bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë që t’i bashkohen Ditës së të Drejtave të Njeriut 2017 për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave e njeriut

Të drejtat e njeriut janë në thelbin e vlerave dhe modelit politik të Zvicrës krahas parimeve të demokracisë, mos-diskriminimit, barazisë gjinore, bashkë-ekzistencës paqësore, dhe respektit të ndërsjellë midis njerëzve me prejardhje të ndryshme. Por ende në botën e sotme ndodhin dhunime të të drejtave të njeriut. Duke njohur rolin kyç që luajnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut për promovimin e këtyre të drejtave, Zvicra do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtje më të mirë dhe për forcimin e hapësirave të shoqërisë civile.

Në Shqipëri gjatë vitit 2017 mbështetja zvicerane mundësoi edicionin e 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmiti për të Drejtat e Njeriut nga Akademia e Filmit dhe Multimedias ‘Marubi’ që i solli publikut shqiptar gati 40 filma të prodhuar nga producentë nga e gjithë bota.

Të drejtat e njeriut janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm, paqen dhe sigurinë e shoqërive tona. Kjo theksohet edhe në ‘Apelin e 13 Qershorit’ i nisur nga Zvicra dhe i nënshkruar nga më shumë se shtatëdhjetë shtete. Apeli bën të qartë se të drejtat e njeriut mund të parandalojnë konflikte dhe të rrisin paqen dhe sigurinë. Prandaj ai advokon për një angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar për të avancuar të drejtat e njeriut. Përveç Apelit, Zvicra gjithashtu forcon punën e Kombeve të Bashkuara në trajtimin e dhunimeve dhe krizave të të drejtave të njeriut, mbështet Planin e Veprimit të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, dhe Axhenden 20130 për Zhvillim të Qëndrueshëm e cila përfshin promovimin e shoqërive paqësore, të drejta dhe përfshirëse – SDG16.

Zvicra është shtëpia e shumë platformave dhe organizatave ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut. Në veçanti qyteti zviceran i Gjenevës luan një rol kryesor në vendosjen e normave dhe standardeve në të drejtat ndërkombëtare të njeriut. Më shumë se njqëind OJQ të të drejtave të njeriut janë të pranishme në Gjenevë përveç Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe shumë institucioneve akademike.

Si një vend pritës i shumë organizatave dhe bizneseve ndërkombëtare dhe shumëkombëtare Zvicra njeh detyrën për të inkurajuar sektorin privat në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në parandalimin e abuzimeve. Zvicra inkurajon dhe lehtëson dialogun midis sektorit privat, shoqërisë civile, institucioneve akademike dhe qeverive, duke kërkuar mënyra se si të zbatojnë zgjidhje të qëndrueshme për kontributin e bizneseve në respektimin e të drejtave të njeriut, në paqen dhe sigurinë, si dhe duke krijuar një kuadër të favorshëm për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Zvicra i bën thirrje partnerëve dhe komunitetit ndërkombëtar t’i bashkohen për të bërë Ditën e të Drejtave të Njeriut 2017 një ditë më aktualitet të patundshëm për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.