Qendra shëndetësore e rinovuar në Sauk, përfitojnë 12,000 banorë

Press releases, 10.09.2019

Një bashkëpunim midis Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministrisë së Shëndetësisë – përmes projektit ‘Shëndet për të Gjithë’ – mundësoi rehabilitimin e qendrës shëndetësore të Saukut

Director of 'Health for All' project Besim Nuri discussing with Albania's Minister of Health Ogerta Manastirliu at the health centre in Sauk, Tirana. ©
Drejtori i projektit 'Shëndet për të Gjithë' Besim Nuri në diskutim me Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tek qendra shëndetësore në Sauk, Tirana. ©B.Fusha/Ministry of Health and Social Protection, Albania

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi qendrën e sapo rindërtuar në Sauk, e shoqëruar nga drejtori i projektit ‘Shëndet për të Gjithë’ Besim Nuri dhe Zv. Kryetarja e Bashkisë Tiranë Anisa Ruseti.

Rinovimi është pjesë e mbështetjes që jepet nga projekti ‘Shëndet për të Gjithë’ për përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri. Banorët e zonave rurale në veçanti mund të përfitojnë shumë nga aksesi në qendra të cilat janë pranë tyre.

“Falënderoj ‘Shëndet për të Gjithë’ dhe qeverinë zvicerane për mbështetjen e tyre në rehabilitimin e 16 qendrave shëndetësore në Dibër, Fier dhe Tiranë por edhe për trajnimin e vyer të stafeve mjekësore, për ofrimin e paketës së plotë të kujdesit parësor me cilësi për qytetarët”, tha Ministrja Manastirliu.  

“Ndërsa sektori i shëndetësisë vazhdon të përmirësohet, projekti ynë kontribuoi me një paketë prej 3 million frangash zvicerane nga qeveria e Zvicrës. Përmirësimet në infrastrukturë plotësohen me trajnime të profesionistëve të shëndetësisë dhe forcimin e kapaciteteve të tyre. Ky është fokusi ynë dhe jam i lumtur të them që ‘Shëndet për të Gjithë’ do të vazhdojë të mbështesë kujdesin shëndetësor parësor gjatë fazës së dytë”, tha Besim Nuri, Drejtor Ekzekutiv i projektit ‘Shëndet për të Gjithë’.  

‘Shëndet për të Gjithë’ është një projekt i qeverisë zvicerane që synon të forcojë kujdesin shëndetësor parësor në Shqipëri – një fushë parësore për vendin. Investimet në infrastrukturë janë vetëm një pjesë e ndërhyrjeve ndërsa projekti mbështet qeverinë shqiptare për politikat mbi kujdesin parësor dhe mbi profesionistët e shëndetësisë. Projekti gjithashtu siguron pajisje dhe instrumente për mjekët dhe infermieret, forcon kapacitetet e tyre në dhënien e shërbimeve, mbështet programet Master në menaxhimin e shëndetësisë dhe infermierisë familjare, dhe rrit ndërgjegjësimin mbi shëndetin dhe parandalimin e sëmundjeve.

Përveç rinovimit në qendrën e Saukut, projekti ‘Shëndet për të Gjithë’ siguroi 10 çanta me pajisje dhe instrumente për infermieret bashkë me udhëzimet e përdorimit. Mbështetja zvicerane për përmirësimin e infrastrukturës së qendrave parësore ka mundësuar rinovimin e 16 qendrave dhe një poliklinike në Dibër, Fier dhe Tiranë. Kjo do të thotë shërbime më të mira shëndetësore për rreth 190,000 banorë.