Zvicra jep aparate oksigjeni për kujdesin në familje për sëmundje kronike dhe Covid-19

Press release, 24.12.2020

Qendra shëndetësore në Tiranë, Fier dhe Dibër po marrin koncentrues oksigjeni dhe pajisje mbrojtëse për t’u përdorur për kujdesin në shtëpi për pacientët me sëmundje jo-infektive si dhe për ata me forma mesatare të Covid-19

Infermiere e Qendrës Shëndetësore Nr. 8 në Tiranë duke përdorur pajisjen e oksigjenit të sapo-dorëzuar nga projekti i bashkëpunimit zviceran 'Shëndet për të Gjithë'
Infermiere e Qendrës Shëndetësore Nr. 8 në Tiranë duke përdorur pajisjen e oksigjenit të sapo-dorëzuar nga projekti i bashkëpunimit zviceran 'Shëndet për të Gjithë'. ©FDFA

Ambasada e Zvicrës përmes projektit të saj ‘Shëndet për të Gjithë’ ka përfunduar shpërndarjen e 58 koncentruesve të oksigjenit për 21 qendra shëndetëore në Tiranë, Fier dhe Dibër. Për herë të parë këto qendra do të kenë mundësinë të japin kujdes në shtëpi për pacientët që kanë nevojë për terapi me oksigjen. Tirana – që është prekur më shumë nga raste me Covid-19 – do të marrë 40 nga këto makina në disa nga qendrat shëndetësore.

“Një model kujdesi në shtëpi për popullatën më të prekshme të Shqipërisë është pjesë e transformimit të kujdesit shëndëtsor parësor. Në pandeminë aktuale të Covid-19, t’u shërbesh njerëzve që janë në rrezikun më të lartë, merr rëndësi të veçantë”, deklaron Ambasadori zviceran Adrian Maître.

Këto koncentrues oksigjeni janë pajisje të lëvizshme të cilat mund të përdoren nëpër shtëpitë e pacientëee dhe ato bazohen në ajrin e ambientit për të dhënë terapi oksigjeni për ata që kanë nevojë. Ekipet e kujdesit shëndetësor parësor mund t’i përdorin ato për raste mesatare të Covid-19, si dhe për disa sëmundje kronike që kërkojnë furnizim me oksigjen.

Ishin vetë stafi që punon në qendrat shëndetësore që kërkuan mbështetje për trajtimin e pacientëve me terapi oksigjeni. “’Shëndet për të Gjithë’ na ka mbështetur që prej fillimit si nëpërmjet trajnimeve ashtu edhe duke na mundësuar pajisje të nevojshme për punën tonë të përditshme. Në këtë kohë pandemie, mbështetja që po na jep projekti ka marrë një rëndësi të vecantë sidomos me dhënien e oksigjenatorit dhe trajnimin përkatës për përdorimin e tij. Jemi të detyruar që të mjekojmë të sëmurët me COVID edhe në kushte shtëpie ndaj këto aparatura na përmirësojnë kushtet e punës dhe mundemi të ndihmojmë më shumë të sëmurët”, shprehet Dr. Lindita Blliku, Drejtore dhe mjeke familje në qendrën shëndetësore Ballagad, Lushnje.

Përveç koncentruesve të oksigjenit, projekti ’Shëndet për të Gjithë’ ka dhënë tek qendrat edhe furnizime mjekësore si oksimetra për pulsing dhe termo-skanera, si dhe pajisje mbrojtëse si maska kirurgjikale, doreza, përparëse izolimi me shumë përdorim, dhe disinfektantë.

Kjo mbështetje – sidomoë përmes koncentruesve të oksigjenit – do të mundësojë qendrat e kujdesit shëndëtsor parësor që të trajtojnë pacientët duke lehtësuar kështu barrën e spitaleve të caktuara për Covid-19 në Shqipëri.

Më herët këtë vit Zvicra mbështeti autoritetet shëndetësore në Shqipëri për menaxhimin e krizës Covid-19 përmes dhurimit të ventilatorëve për spitalet. Mbështetja zvicerane ka mundësuar gjithashtu shpërndarjen e maskave kirurgjikale për ekipet e 100 qendrave shëndetësore në Tiranë, Dibër dhe Fier. ’Shëndet për të Gjithë’ është një projekt i qeverisë zvicerane që synon forcimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri – një fushë prioritare për vendin.