Qytetarët votojnë për buxhetet e bashkive përmes nismës së financuar nga Zvicra

Press releases, 22.02.2019

Mbi 23,000 qytetarë shqiptarë në 23 bashki kanë përdorur një mjet të ri online për të treguar se ku duhet të shkojnë buxhetet

Activists and municipal councillors during the presentation of the online application for municipal budget participation, Vlora, Albania
Aktivistë dhe këshilltarë bashkiakë gjatë prezantimit mbi aplikacionin online për pjesëmarrje në buxhetimin e bashkisë, Vlorë. © Rezar Balla

Një nismë nga Instituti Agenda dhe e financuar nga qeveria e Zvicrës përmes projektit të saj LëvizAlbania i mundëson qytetarëve të ndikojnë mbi buxhetet e bashkive të tyre për herë të parë përmes një aplikacioni online. Rezultatet u prezantuan në një aktivitet në Pallatin e Kulturës në Vlorë me pjesëmarrjen e kryetarit të bashkisë Dritan Leli dhe Ambasadorit zviceran Adrian Maître.

“Për herë të parë 23,000 qytetarë patën mundësinë t’i tregojnë bashkive dhe kryetarëve të tyre se cilat janë përparësitë që ata kanë përmes një aplikacioni online. Në disa raste bashkitë e përshtatën buxhetin sipas preferencave të votuara nga qytetarët. Ky është një hap i madh për demokracinë vendore. Urime!”, tha Ambasadori zviceran në Shqipëri, Adrian Maître.

Aktiviteti u përshëndet nga zv. kryetari i bashkisë Vlorë, Shaban Mehmeti i cili shprehu kënaqësi me punën me këtë nismë dhe deklaroi se dyert e bashkisë Vlorë janë të hapura për përpjekje të tilla.

Gjatë prezantimit të rezultateve nga kjo nismë e re, Gentian Elezi nga Instituti Agenda, tha se kategoria më e preferuar për rritje buxheti ishte infrastruktura e rrugëve, e votuar nga 26% e qytetarëve.. “Përvoja ishte shumë positive veçanërisht në disa nga bashkitë ku patëm mundësinë të prezantonim gjetjet gjatë takimeve të këshillave bashkiake. Jemi të bindur që ky instrument do të konsolidohet edhe më shumë në vitet që vijnë duke u kthyer në një vlerë të shtuar për zhvillimin e demokracisë vendore”, tha z. Elezi.

"Projekti LëvizAlbania është kthyer me sukses në një pikë referimi për organizatat e shoqërisë civile dhe çdo qytetar që kërkon llogaridhënie dhe transparencë nga përfaqësues të qeverisjes vendore” tha Valbona Kuko, Drejtore Ekzekutive e LëvizAlbania.

Nisma e quajtur “Pjesëmarrja aktive e qytetarëve në hartimin e buxhetit” prezantoi në publik aplikacionin online www.buxhetim.al, krijoi një rrjet OJQ dhe partnerësh, i trajnoi ata për përdorimin, dhe i ftoi qytetarët për të votuar për artikujt e tyre të preferuar të buxhetit në bashkitë e tyre. Votimi u krye gjatë periudhës Shtator-Tetor 2018, para se buxhetet për 2019 të vendoseshin nga çdo bashki në vend.

Përmes këtij mekanizmi qytetarët mund të ndikojnë mbi vendimet që merren nga bashkitë dhe kryetarët e tyre, mbi fushat me përparësi që kanë nevojë për investime. Disa bashki e ftuan stafin e projektit të prezantojë gjetjet në takimet e këshillave bashkiake para se të vendosej buxheti për 2019. Më shumë se 1/3 e bashkive e përshtatën buxhetin sipas gjetjeve.

Pothuajse gjysma e qytetarëve që përdorën mjetin online ishin të moshës 18 deri 25 vjeç. Numri më i lartë i qytetarëvë që votuan u regjistrua në Shkodër: 2066.

Nisma u financua nga LëvizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, e cila kërkon të aktivizojë pjesëmarrjen e qytetarëve për një qeverisje vendore më demokratike.