Përmes gërmimeve të kujdesshme dhe analizave të avancuara ekipi i arkeologëve ka dalë në përfundimin që vendbanimi palafit pranë Linit është vendbanimi më i vjetër i njohur në Europë. Lexoni intervistën tonë të plotë dhe ekskluzive me Profesor Hafner.
Urime për zbulimin e jashtëzakonshëm të vendbanimit më të vjetër të njohur të këtij lloji në Europë! Si do ta përshkruanit reagimin dhe emocionin tuaj fillestar pas konfirmimit të vjetërsisë dhe rëndësisë së vendbanimit palafit në Lin?
Një nga rezultatet më të rëndësishme të projektit EXPLO është fakti që vendbanimet e rajonit, në breg të liqenit janë shumë më të vjetra nga sa prisnim. Kjo ishte treguar tashmë nga të dhënat nga Ploça dhe Ohridati (dy site në bregun verior të liqenit të Ohrit, në Maqedoninë e Veriut) dhe Dispilio (Greqi, liqeni i Kastorias). Megjithatë, gjurmët më të vjetra nga Lin tani janë edhe 100-200 vjet më të vjetra dhe këto data të reja nga radiokarboni natyrisht na kanë bërë shumë të lumtur! Po i afrohemi pikës kohore 6000 para Krishtit! Vendbanimi buzë liqenor i Linit në bregun shqiptar të liqenit të Ohrit, sigurisht do të luajë një rol të rëndësishëm në hulumtime tani e tutje.
Zbulimet tuaja tregojnë se zona e Linit në bregun e liqenit të Ohrit ka shërbyer si qendër për zhvillimin e bujqësisë, zejtarisë dhe peshkimit rreth 8500 vjet më parë. Cilat janë provat specifike për këtë përfundim? Dhe çfarë na tregon për jetën e përditshme të njerëzve që jetonin atje?
Bujqësia dhe blegtoria kanë origjinën në Lindjen e Afërt rreth 10,000 vjet më parë dhe më vonë u përhapën në Anadoll, Detin Egje dhe Thesali drejt rajonit në zonën trekufitare të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo e fundit luajti një rol vendimtar në përhapjen e bujqësisë dhe blegtorisë drejt Europës Qendrore. Me fjalë të thjeshta, kishte dy rrugë kryesore përgjatë të cilave u përhap kjo risi: e para, e njohur prej kohësh, ndoqi rrjedhën e Danubit drejt rajonit verior të Alpeve. Rruga e dytë u zbulua shumë më vonë. Ajo çoi përmes rajonit lindor dhe perëndimor të Adriatikut dhe përgjatë ishujve të mëdhenj të Sardenjës dhe Korsikës drejt grykës së Ronës. Prej andej, bujqësia dhe blegtoria u përhapën drejt veriut. Pra, në zonën e Ballkanit jugor përhapja e mënyrës së re të bujqësisë u nda. Për më tepër, ne hamendësojmë se si është e mundur që drithërat e përshtatura për zonat e thata mund të jenë familjarizuar kaq shpejt me kushtet në një zonë liqenore me lartësi dhe me reshje të larta në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoninë e Veriut. Jeta e përditshme e këtyre njerëzve ishte e njëjtë si në të gjitha shoqëritë e hershme agrare të Evropës: me shumë mundësi ishte një luftë e vazhdueshme për mbijetesë. Me një ekonomi të përzier të bazuar në bujqësi dhe blegtori, por edhe duke përfshirë gjuetinë e kafshëve të egra, peshkimin dhe mbledhjen e bimëve dhe kafshëve të vogla, ata përpiqeshin të diversifikoheshin sa më shumë.
Çfarë mund të na thoni për teknologjinë dhe metodat e përdorura gjatë gërmimeve dhe analizave? Sa të sigurtë mund të jemi se koha është e saktë?
Si në gërmimet tokësore ashtu edhe në ato nënujore, ne veprojmë me shumë kujdes dhe ndajmë shtresat individuale. Për një kohë të gjatë kjo ka qenë praktikë e zakonshme në hulumtimet arkeologjike. Risia qëndron në bërjen e hartës në mënyrë dixhitale, duke përdorur GPS satelitor me precizion të lartë dhe, mbi të gjitha dronë. Për datimin, ne përdorim dy metoda. Për një përcaktim të përafërt zbatohet metoda e radiokarbonit. Kjo lejon përcaktimin e materialeve organike si druri me afërsi deri në 1-2 shekuj. Metoda tjetër është dendrokronologjia, e cila lejon saktësi deri në dekada (kur kombinohet me metodën e radiokarbonit). Në rastin më të mirë, dendrokronologjia mund të japë të dhëna të sakta edhe për vitin. Me pak fat, ne do të mund ta zbatojmë këtë për herë të parë në projektin EXPLO për rajonin e Ballkanit.
Ky zbulim novator erdhi pas një bashkëpunimi mes arkeologëve shqiptarë dhe ekipit tuaj nga Universiteti i Bernës. Si kontribuoi ky partneritet në suksesin e gërmimeve dhe çfarë sfidash keni hasur gjatë procesit të kërkimit?
Aktivitetet tona të para ishin me partnerë në Maqedoninë e Veriut si dhe nga puna e ngushtë me ekipin grek të EXPLO. Nga viti 2018, ne vendosëm kontaktet e para me kolegët shqiptarë. Që atëherë kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe në fazën finale të projektit EXPLO jemi duke u fokusuar në Lin në Shqipëri, sepse shpresojmë që ky sit të jetë lidhja e munguar mes siteve në Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut për të cilat punuam fillimisht.
Gjetjet tuaja sugjerojnë se vendbanimi palafit në Lin është edhe më i vjetër se ato të ngjashme që gjenden në Italinë jugore dhe në Evropë. Çfarë veçori apo karakteristika unike shfaq ky vendbanim që e dallojnë nga vendbanime të tjera të kohës së tij?
Për momentin, ky vlerësim bazohet në të dhënat e radiokarbonit nga shtyllat njëshe. Seksionet e gërmuara në të gjitha vendbanimet liqenore në Mesdhe dhe Ballkan janë shumë të vogla për të identifikuar strukturat. Për herë të parë në vitin 2023, në Lin, ne kemi hasur gardhe dhe përmes tyre mund të jemi në gjendje të deshifrojmë pjesë të arkitekturës së vendbanimeve. Për momentin, nuk janë të mundshme deklarata të mëtejshme.
Të gjithë në Shqipëri duke filluar nga Kryeministri, prefekti i Korçës, por edhe shumë studiues e media kanë reaguar pozitivisht dhe të emocionuar për këtë lajm. Ata shohin potencial që ky zbulim të kthehet në një pikë referimi të re për turizmin në rajonin e Pogradecit dhe Korçës. Si mund të ruhet ky vend arkeologjik dhe të prezantohet para publikut për të shfaqur rëndësinë e tij historike dhe kulturore?
Vendndodhja e Linit aktualisht ndodhet në 3 m thellësi në ujë si dhe shumë thellë nën tokë bujqësore. Pra, ndryshe nga rrënojat e lashta, nuk është drejtpërdrejt e dukshme. Nga ana tjetër, eksplorimi i vendbanimeve të zhytura në ujë ofron shumë informacion mbi jetën e përditshme gjë që rrënojat e lashta nuk mund ta japin. Në rajonin e Alpeve, vendbanimet buzë liqenit janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe sitet në liqenet në Ballkan kanë të njëjtën cilësi! Idealja do të ishte një lloj qendre informacioni për rajonin, që tërheq vëmendjen jo vetëm në Lin, por në të gjitha vendbanimet liqenore në Shqipëri dhe në rajon. Për shembull, kolegët tanë nga Oksfordi po analizojnë sedimentet nga Lini dhe Ploça dhe ata mund të dallojnë shumë saktë se çfarë hanin popullatat e asaj kohe duke u nisur nga mbetjet e ruajtura të bimëve dhe kockat e kafshëve. Kemi të dhëna të reja për vendndodhjet në pellgun e Korçës. Analiza e mëtejshme tregon se si njerëzit ndërvepronin me mjedisin dhe çfarë marrëdhëniesh kishin me rajonet e tjera. Datimi me radiokarbon dhe dendrokronologjia janë metoda komplekse, por janë të shpjegueshme. Përkthimi i kësaj pasurie informacionesh në një koncept ekspozite edukative përfshin në mënyrë aktive vizitorët. Ata mund të mësojnë diçka dhe sot shumë njerëz duan të marrin njohuri të reja gjatë kohës së lirë. Muzetë modernë ndjekin koncepte të tilla dhe vizitorët në rajon sigurisht që do të tregonin interes ndaj informacioneve edukative. Megjithatë, duhet pasur parasysh se kjo kërkon edhe investime dhe financime të përhershme për të pasur një qendër informacioni të qëndrueshme dhe tërheqëse.
Ndërsa ky hulumtim hedh dritë të re mbi historinë e bujqësisë europiane dhe vendbanimet njerëzore, cili shpresoni se do të jetë ndikimi dhe rëndësia më e gjerë e këtyre gjetjeve për fushën e arkeologjisë dhe të kuptuarit të qytetërimeve parahistorike?
Projekti në tërësi synon të kuptojë më mirë ndërveprimet njeri-mjedis të shoqërive agrare të hershme. Si e përdornin njerëzit e asaj kohe tokën, pse u vendosën këtu dhe si i bënë ballë krizave. Në fakt, këto janë të njëjtat pyetje që i bëjmë vetes sot. Gjithashtu, ne duam të tregojmë se çfarë hapash të mëdhenj zhvillimi ka bërë njerëzimi në vetëm disa mijëra vjet. Historia e suksesit e fermerëve të parë çoi në shoqëri më të mëdha dhe më komplekse, inovacione teknike, por edhe në popullime të mëdha, probleme serioze me mjedisin, probleme me aksesin në burime të të gjitha llojeve dhe flukse migratore globale.
Cilat janë hapat e mëtejshëm për ekipin tuaj? A ka më shumë për të zbuluar në këtë zonë dhe çfarë planifikoni të trajtoni në gërmimet e ardhshme?
Me projektin EXPLO ne mund të kryejmë ende gërmime në Lin në vitin 2024. Ne do të donim të thellojmë atë që kemi filluar në 2022 dhe 2023. Po përpiqemi të inicojmë projekte të mëtejshme në rajon, por kjo kërkon burime të reja financiare. Gërmimet janë të kushtueshme dhe hulumtimi i avancuar sot është gjithmonë çështje parash. Në rajonin e Alpeve, kërkimet kanë vazhduar në vendbanimet liqenore për 150 vjet. Zona e liqenit në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoninë e Veriut është rajoni i dytë më i rëndësishëm në Europë pas zonës alpine, me rreth 1,000 site dhe ende nuk është ekploruar sa duhet. Kjo zonë ende ofron një potencial të madh për brezat ardhshëm të studiuesve.